Botë

Trump: E këshillova Mayn për Brexitin, por ajo nuk më dëgjoi

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka kritikuar të enjten mënyrën se si ka menaxhuar bisedimet për Brexit kryeministrja britanike, Theresa May, duke thënë se një referendum i ri rreth kësaj çështjeje do të ishte i padrejtë për palën që do të fitonte këtë radhë.

Trumpi, që ishte takuar me Mayn gjatë verës së kaluar, në pallatin Blenheim të Anglisë, ka bërë të ditur se kryeministres i kishte dhënë ide se si t’i qasej negociatave rreth shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, por se ajo nuk e kishte përfillur kërkesën e tij, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

“T’ju them se jam i befasuar se sa keq kanë shkuar gjërat nga perspektiva e negociatave”, u ka thënë Trump gazetarëve në Zyren Ovale, para takimit me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

“Por, ia dhashë kryeministres idetë e mia se si duhet negociuar dhe mendoj se në atë rast do të kishte qenë e suksesshme. Ajo nuk më dëgjoi dhe kjo është në rregull. Mendoj... ajo duhet ta bëjë atë që duhet ta bëjë. Por mendoj se ka mundur të negociohet ndryshe”, ka përfunduar ai.