Botë

SHBA-ja akuzon Kinën për keqtrajtimin e pakicës myslimane, bën krahasime me periudhën e Hitlerit dhe Stalinit

Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, duke thënë se keqtrajtimi që i bëhet pakicës myslimane në këtë shtet nuk është parë në botë “që nga vitet tridhjetë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përmendur keqtrajtimet në Iran, Sudanin Jugor, Nikaragua dhe Kinë, në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut nëpër botë, por u ka thënë gazetarëve se Kina ishte “ligë në vete, kur janë në pyetje shkeljet e të drejtave të njeriut”, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore.

“Për mua, këto gjëra nuk janë parë që nga vitet tridhjetë”, ka thënë Michael Kozak, kreu i zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut dhe demokraci, gjatë të njëjtës konferencë, duke iu referuar keqtrajtimeve të pakicës myslimane në rajonin kinez, Xinjiang.

“Rrethimi, sipas disa vlerësimeve... i miliona njerëzve, vendosja e tyre në kampe dhe torturimi i tyre, keqtrajtimi, ashtu si edhe përpjekjet për shlyerjen e kulturës së tyre dhe fesë nga ADN-ja e tyre. Është ky tmerr”.

“Është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në botë sot”, ka thënë ai.

Ndonëse Kozak nuk e ka elaboruar komentin e tij rreth viteve tridhjetë, ai po iu referohej politikave të përndjekjes në Gjermaninë e Hitlerit dhe Bashkimin Sovjetik të Stalinit.