Botë

Sipas ministrit të Turizmit, në Malajzi nuk ka homoseksualë

Ministri i Turizmit i Malajzisë ka mohuar ekzistencën e homoseksualëve në vend, raportohet në mediet gjermane.

Para se të merrnin pjesë në panairin e udhëtimit të ITB Berlin, ministri i Turizmit Mohamaddin Ketapi, u tha gazetarëve gjermanë se ai nuk ishte në dijeni që ka homoseksualë në vendet me shumicë myslimane në Azinë Juglindore.

"Nuk mendoj se ne kemi diçka të tillë në vendin tonë", tha ai duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Malajzia do të mirëpriste udhëtarët homoseksualë, sipas transmetuesit gjerman Deutsche Welle.

Ai gjithashtu anashkaloi një pyetje në lidhje me sigurinë e udhëtarëve të LGBT dhe hebrenjve në vend.

Mohamaddin më vonë ka postuar një deklaratë në Twitter, përmes të cilës pohonte se përgjigjja e tij ndaj pyetjes së gazetarit i referohet mosekzistencës së fushatave specifike të fokusuara në LGBT në vend, shkruan CNN, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se vendi miraton një politikë të hapur për të mirëpritur turistët e huaj dhe se nuk do të vendosin pengesa të panevojshme për mysafirët bazuar në orientimin seksual, fenë dhe praktikat kulturore".

Ai kishte shtuar se vendi ka një komb sovran, kanë pikëpamjet e veta për komunitetin LGBT dhe Izraelin dhe pret që kombet e tjera të respektojnë sovranitetin e vendit.

Një burim i tha portalit të lajmeve Malaysiakini se komentet u bënë sipas pikëpamjes personale, por ishin në përputhje me politikën zyrtare malajziane të qeverisë, e cila nuk njeh komunitetin LGBT.

Burimi, i cili nuk u emërua në raport, shtoi se "turistët që vijnë në Malajzi, si çdo vend tjetër, janë të mirëpritur pavarësisht besimit të tyre, seksualitetit, fesë apo ngjyrës".