Botë

Jeff Bezos vazhdon të jetë më i pasuri në botë

Descriptive Text

Nuk ka ndryshim në listën e njerëzve më të pasur në botë, pasi themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, mbetet njeriu më i pasur në botë përballë Bill Gates dhe Warren Buffett, ndërsa Mark Zuckerberg ka rënë për tre vende ndërkohë që Michael Blomberg u ngjit për dy vende.

Sipas listës vjetore që e ka publikuar sot revista e njohur “Forbes”, Bezos (55), i cili së fundmi njoftoi divorcin, ka fituar 19 miliardë dollarë për një vit dhe tani zotëron 131 miliardë dollarë, transmeton KosovaPress.

Jeff Bezos, i cili zotëron rreth 16 për qind të kompanisë, ka thelluar hendekun me Bill Gates, bashkë-themelues i Microsoft, i cili u bë filantrop.

Pasuria e Gates po rritet vazhdimisht, duke arritur në 96.5 miliardë dollarë, derisa vitin e kaluar kjo pasuri ishte 90 miliardë.

Në vendin e tretë është investitori Warrenn Buffett (88) me 82.5 miliardë, pasuar nga kreu i kompanisë franceze LVMH Bernard Arnault, derisa pronari i Facebookut, Mark Zuckerberg, i cili ka humbur 9 miliardë, ka rënë nga vendi i pestë në të tetin.

Amerikanët vazhdojnë të dominojnë me 14 miliarderë në mesin e top 20.

Franca ka dy miliarderë, Bernard Arnault dhe Francoise Bettencourt-Meyers.

Në mesin e jo amerikanëve në top 20 janë edhe Mukesh Ambani, president i Reliance Industries nga India në vendin 13 dhe kinezi Ma Huateng, president i Tencent në vendin 20.