Botë

Princi saudit i kurorës injoroi ujgurët gjatë vizitës në Kinë

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, e ka injoruar gjendjen e vështirë të myslimanëve ujgurë në Kinë, kur u takua me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin.

Komuniteti i ujgurëve brenda dhe jashtë Kinës ka pritur nga ai që ta diskutojë çështjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj ujgurëve etnikë, transmeton KTV. E, në vend të kësaj, ai zgjodhi përkrahjen ndaj Kinës.

“Ne e respektojmë dhe mbështesim të drejtën e Kinës për të marrë masa kundër terrorizmit dhe për ta mbrojtur sigurinë kombëtare. Ne jemi të gatshëm për ta forcuar bashkëpunimin me Kinën”, tha Salman.

Përndryshe, rajoni Xinjiang në Kinë strehon rreth 10 milionë ujgurë. Grupi mysliman turk akuzon autoritetet e Kinës për diskriminimin kulturor, fetar dhe ekonomik. Sipas zyrtarëve të SHBA-së dhe OKB-së, mbi 1 milion banorë, ose rreth 7 përqind e popullsisë myslimane në Xinjiang, janë burgosur në kampe.

Në një raport të shtatorit të kaluar, Human Rights Watch akuzoi qeverinë kineze për fushatë sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë.

Sipas raportit, qeveria kineze ka kryer paraburgim masiv, torturë dhe keqtrajtime të turqve ujgurë në rajon.