Botë

BE aprovon vendimin për heqje të vizave për qytetarët e Ukrainës

Descriptive Text

Ambasadorët e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë aprovuar heqjen e vizave për Ukrainën, ka thënë një burim i Këshillit të BE-së për agjencinë e lajmeve TASS.

“Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së kanë aprovuar vendimin për të t’i dhënë Ukrainës të drejtën e lirisë së lëvizjes”, ka thënë burimi, transmeton Koha.net.

Sipas po të njëjtit burim, Këshilli i BE-së pritet të aprovojë vendimin më 11 maj, e më pas do të publikohet në buletinin zyrtar të BE-së dhe që hynë në fuqi 20 ditë më pas.

Presidenti ukrainas, Pyotr Poroshenko, tashmë ka thënë se vendimi i së mërkurës është historik.

Kujtojmë se më 18 dhjetor, 2015, Komisioni Evropian i kishte propozuar BE-së heqjen e vizave edhe për Kosovën, përpos Ukrainës e Gjeorgjisë.

Shtetet anëtare të BE-së, më 27 shkurt të këtij viti, kishin aprovuar vendimin e KE-së për heqjen e vizave për qytetarët gjeorgjianë.

Ndërkaq, për Kosovën ende nuk është marrë një vendim i tillë pasi që si kusht i fundit mendohet të jetë ratifikimi në Kuvend të Kosovës i marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi.