Botë

Familjarët e minatorëve të bllokuar në Zimbabve, të dëshpëruar

Të afërmit e minatorëve të bllokuar në një minierë të paligjshme në Zimbabve, janë të frustruar me ritmin e ngadaltë të përpjekjeve të shpëtimit.

Ata kanë thënë se e kanë humbur shpresën për gjetjen e rreth 70 minatorëve, derisa qeveria ka reaguar duke e quajtur incidentin si tragjedi, transmeton KTV.

Ekipet e shpëtimit, në perëndim të kryeqytetit Harare, shpresuan të fillonin nxjerrjen e minatorëve deri të premten pasdite, por sasia e ujit në puset dhe tunelet e nëndheshme ngadalësoi përparimin.

Aksidenti ka nxjerrë në pah çështjet e sigurisë me të cilat ballafaqohen minatorët e paligjshëm.

Minatorët u bllokuan natën e së martës, kur vendi në të cilin ata ndodheshin u përmbyt pas një shpërthimi në një digë.