Botë

Greqia, vendi i parë që ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Foto: Reuters

Parlamenti i Greqisë ratifikoi të premten protokollin për anëtarësimin e fqinjit të saj verior në aleancën e NATO-s, që u nënshkrua të mërkurën në Bruksel nga përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare të Aleancës.

153 ligjvënës grekë votuan pro, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën Marrëveshjes së Prespës të hyjë plotësisht në fuqi. Debati në parlamentin grek zgjati rreth 11 orë.

Kryeministri grek Alexis Tsipras u shpreh se “votimi mbyll një cikël të rëndësishëm, më të rëndësishmin nga zotimet që parasheh Marrëveshja historike e Prespës”, raporton Zëri i Amerikës.

Ndërkohë, drejtuesi i opozitës, Kirjakos Micotakis theksoi se për 140 vjet Greqia nuk kishte lejuar që një palë e tretë të monopolizonte emrin Maqedoni dhe se ai asnjëherë nuk do t’i uronte mirëseardhje “kryeministrit maqedonas”.

Në Shkup, kryeministri maqedonas Zoran Zaev përmes një postimi në Facebook theksonte: “Vendi mik, Greqia është shteti i parë që ratifikon Protokollin për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Shkojmë drejt suksesit të garantuar. Është më lehtë me aleatë, themi me krenari se ne jemi në NATO”.

Tash Greqia duhet të njoftojë në mënyrë zyrtare Republikën e Maqedonisë (së Veriut) se ka ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e kësaj të fundit në NATO, e më pas do të ketë një shkëmbim shkresash dhe do të njoftohen Kombet e Bashkuara për vendimin, si dhe të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare se emri i ri kushtetues i Republikës së Maqedonisë është “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe që ky emër të përdoret tash e tutje si në OKB, ashtu edhe nga organizatat tjera dhe të gjitha shtetet.

Autoritetet në Shkup duhet të ndërrojnë tabelat e të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike ku do të shkruhet emri i ri i vendit. Kjo do të bëhet në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, pasi gjuha shqipe mori një shtrirje të gjerë me botimin e ligjit në gazetën zyrtare para disa ditësh.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut do ta ngrenë nivelin e përfaqësimit diplomatik në rang ambasade, në kryeqytetet respektive. Ndërkaq, në Selanik do të hapet një konsullatë e Maqedonisë së Veriut.