Botë

Franca tërheq ambasadorin nga Roma pasi zv.kryeministri italian u takua me “jelekverdhët”

Parisi dhe Roma po kalojnë periudhën më të vështirë të marrëdhënieve diplomatike në 70 vitet e fundit.

Shkak për këtë është bërë një takim që ka mbajtur zëvendëskryeministri italian, Luigi Di Maio, me protestuesit “Jelekverdhë” në Francë.

Franca e ka tërhequr ambasadorin e saj nga Italia, duke thënë se situata është në pikën më të ulët që prej Luftës së Dytë Botërore, derisa Di Maios i ka bërë thirrje që të mos përzihet në çështjet e brendshme politike.

Di Maio, lider i Lëvizjes “Pesë Yje”, u takua me protestuesit anti-qeveritarë të martën dhe postoi fotografi në Twitter, në të cilën shihej me Ingrid Levavasseur, prijësen e Listës së “Jelekverdhëve” për zgjedhjet e majit në Parlamentin Evropian.

“Gjatë muajve të fundit, Franca ka qenë cak i akuzave dhe sulmeve të vazhdueshme. Ndërhyrjet e fundit janë një provokim shtesë. Ata kanë shkelur respektin që kanë borxh ndaj mundësive demokratike të bëra nga një shtet mik dhe aleat. Mospajtimi është një gjë, shfrytëzimi i këtyre marrëdhënieve për qëllime elektorale është gjë tjetër”, ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Zëvendëskryeministri tjetër italian, Matteo Salvini, ka bërë thirrje për zbutje të tensioneve, duke thënë se do të ishte i gatshëm të bisedonte me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Për të rivendosur marrëdhëniet, Salvini ka thënë se Franca duhet të merret me disa çështje thelbësore. Ai i ka bërë thirrje Parisit që t’i dorëzojë militantët majtistë, të cilët i kërkon Italia dhe të ndalojë kthimin mbrapsht të migrantëve.

Ai, gjithashtu, është ankuar edhe për tejzgjatjen e procedurave kufitare nga ana e Francës.

Në muajin janar, Salvini e sulmoi direkt Macronin, duke thënë se shpreson që populli i Francës shumë shpejt “do ta çlirojë veten nga një president i tmerrshëm”.

Marrëdhëniet mes dy shteteve kanë qenë të tensionuara, qëkur lëvizja populliste e Italisë “Pesë yje”, formoi koalicionin qeverisës me partinë e krahut të djathtë “Ligën”, në qershorin e vitit 2018.

Tensionet janë shtuar më shumë edhe me çështjen e migrimit.

Derisa kjo është hera e parë që Franca tërheq ambasadorin nga Italia që prej vitit 1945, kjo nuk është gjë e pazakontë në Bashkimin Evropian. Në vitin 2016, Greqia tërhoqi ambasadorin nga Austria, ndërsa në vitin 2017 të njëjtën gjë e bëri Hungaria me Holandën.