Botë

Rritet në 134 numri i të vdekurve nga shembja e digës në Brazil

Foto: Reuters

Bilanci i viktimave nga shembja e një dige pranë një miniere në Brumadinho, në juglindje të Brazilit, ka arritur në 134 dhe rreth 200 konsiderohen të zhdukur.

Në ditën e njëmbëdhjetë të kërkimeve, forcat zjarrfikëse në shtetin e Minas Gerais saktësuan se 199 persona vijojnë të jenë ende të zhdukur dhe se 120 nga 134 trupat e gjetur janë identifikuar.

Kërkimet u ndërprenë për disa orë të dielën dhe të hënën për shkak të motit të keq, por helikopterët kanë rinisur monitorimet nga ajri të zonës pasditen e sotme, raporton atsh.

Një lum i vërtetë prej balte rrodhi nga diga që i përkiste gjigantit të minierave “Vale”.

Incidenti ndodhi në Brumadinho, një komunë me rreth 39,000 banorë që ndodhet 60 kilometra në jugperëndim të Belo Horizonte, kryeqyteti i Minas Gerai.