Botë

Mijëra “Shalle kuqë” në protesta kundër “Jelekë verdhëve” në Francë

Paris, 28 janar - Mijëra qytetarë francezë dolën në rrugët e Parisit për të protestuar kundër demonstratave disa javore antiqeveritare nga lëvizja e “Jelekëve të verdhë”.

Grupi i quajtur “Shallat e kuq” dje u tubua në sheshin e kombit në Paris dhe marshoi drejt sheshit Bastille, duke brohoritur slogane “mjaft” dhe “jepini fund dhunës”.

Laurent Soulie, një inxhinier 51-vjeçar i aeronautikës, në emër të grupit u tha gazetarëve se zemërimi i “jelekëve të verdhë” u kuptua dhe u arsyetua, “megjithatë dhuna gjatë protestave është e papranueshme”.

Sipas policisë së Parisit, më shumë se 10 mijë persona, shumica e të cilëve mbanin shalla të kuq, morën pjesë në marshim.

Protestat në Francë, të cilat filluan më 17 nëntor 2018 si një reagim ndaj rritjes së taksave dhe që evoluan në një protestë kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë vazhduar pavarësisht thirrjes së qeverisë për t'u ndalur.

"Jelekët e verdhë" reagojnë edhe ndaj shtypit francez me arsyetimin se protestat e tyre nuk paraqitet në televizione dhe gazeta.

Gjatë protestave kanë tërhequr vëmendjen konfliktimet herë pas herë mes protestuesve dhe policisë, sulmet ndaj institucioneve publike, plaçkitja e dyqaneve, djegia e automjeteve dhe kontejnerëve të plehrave si dhe ndërhyrja e ashpër e policisë ndaj protestuesve.

Në protesta kanë humbur jetën të paktën 10 persona, më shumë se 1.700 të tjerë janë plagosur, mbi 5.600 janë arrestuar dhe më shumë se 1.000 të tjerë janë dënuar me burg.