Botë

Opozita kërkon dorëheqjen e Zaevit

Descriptive Text

Dorëheqje të parevokueshme nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe qeveri teknike plot 100 ditë para zgjedhjeve.

Këto ishin kërkesat kryesore të VMRO-DPMNE-së, pas takimit të jashtëzakonshëm të Komitetit Ekzekutiv dhe atij Qendror të partisë. Nisma për shpërndarjen e Kuvendit nga deputetët e VMRO-së do të dorëzohet të hënën.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski ka thënë se pushteti me qëllim shtyn vendimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare që të skadojë afati për shpalljen e tyre. Por ai nuk sqaroi se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të partisë në rast se kërkesat e tyre nuk pranohen, raporton “Alsat”.

“Tani do të ketë mundësinë ai, LSDM-ja por edhe shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar të vendosin që ta pranojnë ose ta hedhin poshtë propozimin e VMRO-DPMNE-së gjatë ditëve të ardhshme, dhe qytetarët të shohin kush është ‘për’ dhe kush është ‘kundër’ zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kuptohet, për hapat e ardhshëm publiku do të njoftohet. Ne shkojmë hap pas hapi duke analizuar me kujdes situatën në vend”, ka thënë Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski, në rast se shpallen zgjedhje të parakohshme, tha se nuk do të bëjnë kompromis për shkurtimin e afatit prej 100-ditësh për qeveri teknike.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së kryeministrit Zoran Zaev. Ata janë të bindur në fitore në cilat do zgjedhje.

“Hristijan Mickoski është në panik për shkak të hyrjes së Maqedonisë në BE dhe NATO, dhe pikërisht anëtarësimi në NATO dhe rritja e rrogave është dështimi më i madh i anti-perëndimorit Mickoski. Pas dështimit në zgjedhjet e ardhshme, le të mendojë për dorëheqjen e tij. LSDM-ja është parti e cila Maqedonisë i solli sukses historik shtetëror dhe për këtë do të korrë fitore të madhe në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, kurdo që ata të mbahen”, kanë thënë nga LSDM-ja.

LSDM-ja mblodhi organet e partisë gjatë ditës së premte për të diskutuar edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata erdhën në përfundim që vendimi të merret gjatë javës që vjen.

Ditë më parë, Maqedonia dhe Greqia ratifikuan nëpër Kuvende marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë, Maqedonia e Veriut, të cilën e kundërshton opozita në Maqedoni.