Botë

Trumpi udhëtoi në Dover për të nderuar amerikanët e vrarë në Siri

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump, udhëtoi për në Bazën e Forcës Ajrore Dover në Delaware, SHBA, të shtunën për të pritur mbetjet e katër amerikanëve të vrarë në një sulm vetëvrasës në Siri.

“Do të udhëtoj në Dover që të jem pranë familjeve të katër personave të veçantë që humbën jetën duke i shërbyer vendit tonë”, shkroi Trump në Twitter.

Ai u prit nga personeli ushtarak në Dover pas një fluturimi të shkurtër nga Baza e Përbashkët Andrews, por nuk foli për gazetarët, transmeton Koha.net.

Të rrethuar nga zyrtarë ushtarakë, Trumpi, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Secretary Patrick Shanahan, nderuan dhe u lutën në kujtim të ushtarëve të vrarë.

Udhëtimi në bazën Dover nuk ishte në agjendën publike të presidentit për të shtunën, por ai bëri të ditur lajmin para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Sulmi me bombë në Manbij, Siri, ishte më vdekjeprurësi për trupat amerikane që nga hyrja e tyre në vendin e shkatërruar nga lufta në vitin 2015.

Sulmi ndodhi një muaj pas njoftimit të Trumpit për mposhtjen e ISIS-it në Siri dhe për tërheqjen e forcave të SHBA-së nga ky vend.