Botë

Trump “po vlerëson” tërheqjen ose jo të trupave nga Afganistani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është në "proces të vlerësimit" për tërheqjen ose jo të disa trupave amerikane nga Afganistani, tha nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

Komentet e tij vijnë pas raporteve se Trump ka urdhëruar Pentagonin që të përgatitet për tërheqjen e 7,000 trupave nga Afganistani - rreth gjysmës së kontingjentit amerikan në këtë vend.

"Në kohën që po flasim, presidenti është në proces të vlerësimit", tha Pence në një intervistë për Fox News.

Këtë javë, Trump iu bëri thirrje vendeve të tjera, në veçanti Rusisë, Pakistanit dhe Indisë, që të përfshihen më shumë në luftimet në Afganistan.

"Përse Rusia nuk është atje? Përse jo India? Përse jo Pakistani? Përse jemi ne, duke qenë 6,000 milje larg", pyeti Trump.

Në Afganistan ndodhen rreth 14,000 trupa amerikane që aktualisht udhëheqin përpjekjet e NATO-s për të trajnuar dhe këshilluar trupat lokale.

Fuqitë perëndimore janë të pranishme në Afganistan qysh në vitin 2001, kur i kanë rrëzuar talibanët nga pushteti.

Muajin e kaluar, Trump ka vendosur për tërheqjen e të gjitha trupave nga Siria, duke shkaktuar shqetësim tek aleatët.