Botë

SHBA-ja i kërkon shpjegim Rusisë për amerikanin e arrestuar

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara kërkojnë shpjegim nga Rusia për arrestimin e një marinsi të pensionuar amerikan, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Departamenti i Shtetit tha se ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, e ka vizituar Paul Whelan në një qendër paraburgimi në Moskë, më 2 janar, dhe se ka biseduar me familjen e tij.

"Ua kemi bërë të qartë rusëve se presim që të mësojmë më shumë për akuzat", tha Pompeo, për të shtuar se nëse paraburgimi i Whelan del të jetë "i papërshtatshëm", SHBA do të kërkojë kthimin e menjëhershëm të tij.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi ka thënë më 31 dhjetor se ka arrestuar një amerikan, të identifikuar më vonë si Paul Whelan, i cili është thënë se është kapur duke kryer një akt spiunazhi.

Familja e tij ka thënë se Whelan ka qenë në Rusi për të marrë pjesë në një dasmë dhe ka mohuar se ai është spiun.

Whelan mund të përballet me 10 deri në 20 vjet burgim nëse gjykohet në Rusi dhe gjendet fajtor për spiunim.