Botë

Ekzaminim mjekësor për fëmijët migrantë në qendrat e ndalimit

Agjencia amerikane për kufirin dhe doganat ka dhënë urdhër për kontroll mjekësor për të gjithë fëmijët e ndaluar, pasi një djalë 8 vjeçar nga Guatemala humbi jetën. Ishte rasti i dytë këtë muaj që një fëmijë humbte jetën ndërsa gjendej i ndaluar mes grupit të imigrantëve të paligjshëm që përpiqen të futen në Shtetet e Bashkuara. Vdekjet ndodhin në mes të një debati të ashpër në Washington lidhur me sigurinë kufitare dhe politikat e imigracionit të Presidentit amerikan, Donald Trump.

Është hera e parë që Claudia Maquin sheh vajzën e saj qëkur i ati mori 7 vjeçaren dhe u nis nga Guatemale duke udhëtuar 3,200 kilometra drejt Shteteve të Bashkuara, në kërkim të një jete më të mirë. Autoritetet amerikane thonë se Jakelin Caal vdiq nga infeksioni i brendshëm pak pasi ishte ndalua nga rojet e kufirit. Rolando Ico është zyrtar lokal.

“Një vajzë u nis me buzën në gaz dhe sot u kthye pa jetë”, ka thënë ai.

Një tjetër fëmijë, një djalë 8 vjeçar i ndaluar në Nju Meksiko, u shtrua në spital dy herë dhe përfundimisht humbi jetën mbrëmjen e Krishtlindjes. Vdekjet shkaktuan pikëpyetje mbi trajtimin e imigrantëve të ndaluar. Demokrati Beto O’Rurke është përfaqësues i Teksasit në Kongresin Amerikan.

“Për mua është shqetësuese, gjatë muajit të fundit dy fëmijë humbën jetën ndërsa ishin në kujdestarinë e organeve të kufirit. Dua të gjej se si mund të përmirësojmë kushtet në këto qendra të ndalimit për punonjësit në mënyrë që ata të reagojnë ndaj fëmijëve në krizë ose që kanë nevojë për ndihmë”, thotë ai, transmeton Zëri i Amerikës.

Pavarësisht përpjekjeve nga administrata e Trumpit për të dekurajuar migrantët, rojet kufitare vazhdojnë të trajtojnë mijëra raste çdo muaj të fëmijëve që kalojnë kufirin të vetëm ose me prindërit. Jose Manuel Caal është xhaxhai i shtatë vjeçares nga Guatemala që humbi jetën.

“Lëmë vendin tonë nga varfëria. Atje nuk kemi mundësi dhe të korrat që marrim nuk mjaftojnë për ushqyer familjen”, tha ai.

Pas rasteve të vdekjeve, mbështetësit e emigracionit kanë kritikuar politikat e administratës së zotit Trump për imigracionin dhe qendrat e ndalimit. Ndërkohë Uashingtoni vazhdon të jetë i bllokuar lidhur me sigurinë kufitare dhe kërkesën e zotit Trump për miliarda dollarë për të ndërtuar një mur në kufi.

“Kemi një mbyllje të pjesshme të qeverisë sepse ne besojmë tek muret, besojmë në kufinjë dhe barriera. Kemi një vend special dhe njerëzit duhet të vijnë përmes një procesi ligjor, jo thjesht vetëm të futen. Ne nuk e dimë se cilët janë ata”, tha Presidenti Trump.

Zyrtarët federalë kanë dhënë urdhër për kontrolle shëndetësore për të gjithë fëmijët nën moshën 10 vjeçare në qendrat e ndalimit, duke shtuar se do të shqyrtojnë rastet për lehtësimin e mbipopullimit nëpër këto qendra. Kirstjen Nielsen është Sekretare e Sigurisë Kombëtare.

“Ofroj angazhimin tim për të siguruar që të gjithë fëmijët në qendrat e ndalimit të kenë përkujdesje të mirë.”

Por, për familjet që varrosin fëmijët e tyre, ky angazhim vjen shumë vonë.