Është anuluar në minutën e fundit takimi i parashikuar këtë të martë mes Marine Le Pen, kryetare e Frontit Nacional të Francës, dhe autoritetit më të lartë islamik në Liban.
Lajmin e bën të ditur zyra e shtypit e Myftiut të Madh libanez, Abdellatif Daryan. Në një komunikatë sqarohet se kryetarja e ekstremit të djathtë kishte refuzuar të mbulonte kokën me shami, shkruan KP.
Zyra e myftiut ka saktësuar se e kishte lajmëruar në kohë stafin e Le Pen dhe se bëhet fjalë për një masë protokollare të mirënjohur.
“Kemi mbetur të habitur nga refuzimi i zonjës Le Pen, e cila është larguar pa kryer takimin e parashikuar”, thuhet në komunikatë, ku sjellja e kryetares së Frontit Nacional konsiderohet e “papërshtatshme”.
Ndërkohë nga zyra e Le Pen, politikania që është edhe kandidate për presidente në Francë, nuk ka pasur ende një reagim.
-
21 shkurt 2017 14:44
-
Shpërndaje në: