Botë

BE-ja shtyn vendimin e heqjes së lëvizjes sezonale të orës deri më 2021

Ministrat e Transportit të BE-së kanë vendosur të shtyjnë heqjen e lëvizjes sezonale të orës deri në vitin 2021, ndërsa Komisioni Evropian ka propozuar që viti i ardhshëm të jetë i fundit në të cilin akrepat të lëvizin dy herë në vit, tha sot ministri kroat i Detit, Transportit dhe Infrastrukturës Oleg Butkoviq.

“Ne mbështetëm propozimin e Presidencës austriake të BE dhe deri në vitin 2021, nuk do të ketë vendim përfundimtar”, tha Butkoviqi, i cili po merr pjesë në një takim dyditor të Këshillit të Transportit dhe Telekomunikacionit në Bruksel.

Më 12 shtator 2018, Komisioni Evropian propozoi heqjen e zhvendosjes së orës në të gjithë Bashkimin Evropian në vitin 2019 dhe u mbetet vendeve anëtare të vendosin nëse do të mbajnë vetëm kohën verore apo dimërore, transmeton KosovaPress.

Një anketë e Komisionit Evropian, ku morën pjesë 4.6 milionë banorë, tregoi se shumica e tyre ishin kundër zhvendosjes së orës dy herë në vit.

“Ne mbështetëm qëndrimin parimor për të zhvendosur lëvizjen e orës dy herë në vit, megjithëse në Kroaci nuk kemi ende qëndrim për të llogaritur kohën dimërore apo verore. Duhet të zhvillojmë një debat publik dhe të shohim se çfarë është më mirë”, tha Butkoviq.

Ndryshe, deri më 1 nëntor 2019, shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin nëse do të mbetet në fuqi llogaritja e kohës dimërore apo verore përgjithmonë, transmeton HINA.