Botë

Ukraina kërkon që NATO të dërgojë anije në Detin Azov

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i bëri thirrje NATO-s që të dërgojë anije në Detin Azov, për të mbrojtur vendin e tij, pasi Rusia aneksoi tri anije të Ukrainës dhe arrestoi ekuipazhin e tyre, të dielën, jashtë brigjeve të Krimesë.

Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, Poroshenko tha se shpreson se shtetet evropiane do të ndërmarrin hapa aktivë, përfshirë rritjen e sanksioneve dhe mbrojtjen ushtarake kundër Rusisë.

"Shpresojmë se shtetet e NATO-s janë të përgatitura për të dërguar anije detare në Detin Azov, për të mbrojtur Ukrainën dhe për të ofruar siguri", tha Poroshenko.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e sheh veten si "perandor", ndërsa Ukrainën si "koloni" ruse.

"Gjuha e vetme që ai [Putin] kupton, është solidariteti i botës perëndimore. Nuk mund t'i pranojmë politikat agresive të Rusisë. Fillimisht ka qenë Krimeja, pastaj Ukraina lindore, tani e do Detin Azov", tha Poroshenko.

Deti Azov është uji që ndan Gadishullin e Krimesë - të cilin Rusia e ka aneksuar ilegalisht në vitin 2014 - nga tokat e Ukrainës dhe Rusisë.

Rusia ka ndërtuar urë mbi Ngushticën Kërç, për të lidhur Krimenë me territorin e saj.

Ngushtica e Kërçit është rruga e vetme për anijet që udhëtojnë midis Detit Azov, ku Ukraina ka disa porte, dhe Detit të Zi, që zakonisht patrullohet nga NATO.

Ukraina është partnere e NATO-s, por jo anëtare e aleancës ushtarake.

Më herët, NATO e ka bërë të qartë se "qëndron me Ukrainën" dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë anijet dhe detarët ukrainas.

Rusia ka thënë se anijet e Ukrainës kanë hyrë ilegalisht në ujërat e saj, ndërsa Putin ka deklaruar se autoritetet ukrainase kanë "provokuar" qëllimisht.