Botë

Shpërthimi i fundit i Ebolës, “më i keqi” në historinë e Kongos

Shpërthimi i fundit i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, është më i keqi në historinë e këtij vendi, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Pothuajse 200 persona kanë vdekur që prej muajit gusht, thanë zyrtarët, ndërkaq mbi 300 raste të tjera janë konfirmuar se janë të infektuar me këtë virus, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Programi i vaksinimit kundër Ebolës deri më tani ka përfshirë rreth 25 mijë njerëz.

Kongo ka vuajtur për shumë gjatë vite me jostabilitet dhe përpjekjet për të parandaluar përhapjen e këtij virusi janë penguar nga sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë.

“Deri më tani, 319 raste dhe 198 vdekje janë konfirmuar”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Oly Ilunga.

“Shpreh ngushëllimet e mia për qindra familje që janë duke mbajtur zi për më të dashurit e tyre, shpreh simpatinë time për qindra jetim dhe familje që janë shuar plotësisht”, ka thënë tutje ai.

Ky është shpërthimi i dhjetë me radhë i virusit të Ebolës në Kongo dhe më i keqi, që prej epidemisë së parë më 1976.

Ebola është një sëmundje infektuese që përhapet përmes lëngjeve trupore.

Simptomat e para të virusit janë të ngjashme me ato të gripit por më pas përcillen me vjellje, diarre, skuqje të lëkurës dhe me gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.