Botë

Yjet holivudiane evakuohen teksa shtëpitë e tyre rrezikojnë të përfshihen nga zjarri

Foto: Ilustrim

Zjarrfikësit në Kaliforni kanë luftuar me flakët e ndezura në të dy skajet e shtetit, që kanë lënë të paktën nëntë vetë të vdekur, dhe mijëra shtëpi të shkatërruara.

Më shumë se 250,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen në një zonë të gjerë pranë kryeqytetit Sacramento dhe në Kaliforninë jugore, në qytetin turistik Malibu.

Deri tani, nëntë viktima u raportuan në qytetin Paradise, në Butte County, ku më shumë se 6,700 ndërtesa – shumica prej tyre rezidenca, janë konsumuar nga ferri i fundvitit, i cili tani është regjistruar si zjarri më shkatërrues i Kalifornisë ndër vite, shkruan tch.

Guvernatori i zgjedhur Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, për të ofruar ndihmë për zonat më të goditura. I nxitur nga erërat e forta, deri tani zjarri ka djegur 40,500 hektarë toke sipas Departamentit të Pylltarisë në Kaliforni.

Malibuja është shtëpia e rreth 13,000 banorëve të pasur, përfshirë disa prej emrave më të famshëm të Hollywoodit.

Ata që kanë, ose kanë pasur, shtëpi në Malibu përfshijnë Leonardo DiCaprion, Jack Nicholsonin, Jennifer Anistonin, Halle Berryn, Charlize Theronin, Brad Pittin dhe Robbie Williamsin.

Charlie Sheen, aktori, lëshoi një apel për të gjetur babanë e tij Martin Sheen, i cili jeton në Malibu dhe nuk kishte mundësi të kontaktonte me të, transmeton Koha.net.

Më vonë, ai u gjet në një pikë evakuimi dhe tha se janë mirë, por me gjasë do të flenë në veturë sonte.

Edhe Lady Gaga u evakuua dhe fotografët kapën atë teksa ikte nga tymi që kishte rrethakuar shtëpinë e saj.

Will Smith postoi video në rrjetet sociale të zjarrit që i afrohej shtëpisë së tij dhe tha se po e evakuonte familjen e tij.

Kim Kardashian, ylli televiziv, dhe familja e saj u evakuuan nga Calabasas.

Cher, që ka jetuar në Malibu që nga viti 1972, tha se zjarret po i afroheshin shtëpisë së saj, edhe pse tha se nuk ishte në shtëpi.

Deri tani janë plagosur tre nga 3.200 zjarrfikës të angazhuar. Autoritetet thanë se rreth 200,000 njerëz janë nën urdhrat e detyrueshëm të evakuimit, duke përfshirë tërë qytetin e Malibusë. Malibu është një nga vendet më të kërkuara në Kaliforni për yjet që kërkojnë privatësi dhe luks.

Zjarri arriti në Paramount Ranch, duke shkatërruar Asetet e Qytetit Perëndimor të përdorur për qindra prodhime kinematografike. Në qytetin Paradise, flakët shkatërruan qindra shtëpi, një spital, një stacion gazi, disa restorante dhe automjete të shumta.

Urdhrat e evakuimit të detyrueshëm janë lëshuar për më shumë se 52,000 njerëz në zonën piktoreske në ultësirat e maleve të Sierra Nevadës. Shërbimi Kombëtar i motit njoftoi se erërat e forta do vazhdojnë përgjatë gjithë fundjavës.