Botë

Besohet se trupi i Khashoggit pas gjymtimit është “tretur në acid”

Këshilltari presidencial në Turqi, Yasin Aktay ka thënë se beson që trupi i gazetarit të vrarë, Jamal Khashoggi është tretur në acid pasi fillimisht është gjymtuar.

Sipas tij “përfundimi i vetëm logjik” është që ata që kanë vrarë gazetarin saudit në Stamboll kanë asgjësuar trupin e tij “për të mos lënë asnjë gjurmë mbrapa vetes”.

Khashoggi, kritik i udhëheqësisë saudite është vrarë brenda konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor.

Megjithatë ende nuk është siguruar asnjë e dhënë për të vërtetuar se trupi i tij është asgjësuar.

“Arsyeja pse kanë tretur trupin e Khashoggit ka qenë për të zhdukur eshtrat e tij sa më shpejt”, ka thënë Aktay për gazetën e përditshme turke, Hurriyet, transmeton rel.

Këto pretendime kanë ardhur pasi e dashura e Khashoggit, Hatice Cengiz, u ka bërë thirrje liderëve botërorë “të sjellin kryesit e kësaj vepre para drejtësisë” në një editorial të publikuar në pesë gazeta të mirënjohura, duke përfshirë, Guardian dhe Washington Post.

Ndërkohë në disa raportime është thënë se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman u ka thënë Shteteve të Bashkuara se Khashoggin e ka konsideruar islamist të rrezikshëm.

Khashoggi, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe ka shkruar kolumne për Washington Postin, ka shkuar se konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor për të siguruar disa dokumente, mirëpo nuk është parë më.

Riadi fillimisht ka kundërshtuar të ketë pasur ndonjë rol në zhdukjen e tij, mirëpo nën presion të autoriteteve turke ka identifikuar 18 të dyshuar në këtë rast.

Arabia Saudite ka thënë se ata do të përballen me drejtësinë lidhur me vrasjen.

Ankaraja është raportuar të ketë kërkuar ekstradimin e tyre në Turqi për t’u gjykuar.

Ndërkohë, Turqia ka vazhduar edhe të enjten t’iu kërkojë autoriteteve saudite të tregojnë vendndodhjen e trupit të Khashoggit, i cili nuk është gjetur ende.