Botë

Kina thotë se s’do kishte fitues në luftën e mundshme mes SHBA-së e Koresë Veriore

Nuk do të ketë fitues nëse shpërthen konflikt i armatosur midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, për shkak të armëve bërthamore të Phenjanit, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, duke ofruar mbështetjen e Kinës për dialog midis dy palëve.

Komentet e Wangut vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se problemi i Koresë së Veriut "do të rregullohet" dhe pasi janë rritur spekulimet se Phenjani mund të jetë duke përgatitur një provë të re bërthamore ose raketore.

“Tensionet janë rritur dhe lihet përshtypja se konflikti mund të shpërthejë në çdo moment”, tha Wang.

Trump ka dërguar aeroplanmbajtëse në Gadishullin Korean.

Kina, aleatja e vetme e Koresë së Veriut, druan se konflikti mund të shkaktojë rënien e regjimit komunist në Phenjan dhe probleme në kufirin e saj.