Botë

Kabul: Nga bomba masive amerikane janë vrarë dhjetëra militantë të IS-it

Zyrtarët afganë thonë se nga sulmi me bombën më të madhe joatomike të shfrytëzuar ndonjëherë në operacion luftarak nga ana e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, në kompleksin e tuneleve në pjesën lindore të Afganistanit, janë vrarë së paku 36 luftëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Ministria e mbrojtjes e Afganistanit tha se nga ky sulm, po ashtu, janë shkatërruar disa shpella të IS-it dhe bunkerë të municionit.

Numri i të vrarëve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, por zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Dawlat Waziri, tha se civilët nuk janë dëmtuar në këtë sulm ajror, që ka shkaktuar shpërthim masiv.

Në kumtesën e djeshme, ushtria amerikane tha se bomba e tipit, GBU-43/B, ishte hedhur në një kompleks të tuneleve, që shfrytëzohej nga luftëtarët e IS-it në qarkun Açin në Afganistan, afër kufirit me Pakistanin.

Pentagoni tha se ky ishte përdorimi i parë luftarak i të gjitha kohërave i bombës e cila i përmbanë 11 tonelata eksploziv.

Kësaj bombe i ishte dhënë nofka Nëna e të Gjitha Bombave.