Botë

Bashkëpunimi amerikano-rus i nevojshëm për zgjidhjen e konfliktit në Siri

Nju-Jork, 13 prill – I dërguari special për Kombet e Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura i kërkoi dje SHBA-së dhe Rusisë të bien dakord për rrugën që duhet të ndjekin për t’i dhënë fund luftës në Siri dhe për të përgatitur terrenin për negociata të vërteta.

Staffan de Mistura, siç raporton TCH, deklaroi para Këshillit të Sigurimit se ishte i gatshëm për të organizuar një cikël të dytë bisedimesh në muajin maj duke nënvizuar se një bashkëpunim amerikano-rus ishte padyshim i nevojshëm.

Kërkesa e tij ndodhi në një kohë që sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u takua në Moskë me homologun rus, Sergei Lavrov për bisedime të rëndësishme për konfliktin sirian. Ai u takua menjëherë më pas me presidentin rus, Vladimir Putin.

Tensionet mes dy fuqive janë rritur pas bombardimit amerikan të një baze ajrore siriane natën e 6-7 prillit, në kundërpërgjigje të një sulmi kimik të dyshuar të kryer më 4 prill në një lokalitet rebel, përgjegjësia e të cilit iu atribua nga perëndimorët regjimit të Bachar al-Assad.

Ky i fundit mbështetet nga Moska.