Botë

SHBA: S’ka paqe në Siri me Assadin

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley tha gjatë një interviste se, e konsideron ndryshimin e regjimit sirian, në vendin e shpartalluar nga lufta civile, si një nga prioritetet kryesore të administratës “Trump”.

Mposhtja e Shtetit Islamik, largimi i ndikimit iranian në Siri dhe rrëzimi i presidentit Bashar al-Assad janë prioritete për Uashingtonin, tha Haley në intervistën për “CNN”, që pritet të transmetohet e plotë këtë të diel.

“Ne nuk shohim ndonjë zgjidhje paqësore në Siri, për sa kohë që Assad është në krye”, tha Haley, shkruan tch.

Komentet përfaqësojnë një shmangie nga ajo çfarë ka thënë më parë Haley, se Shtetet e Bashkuara goditën bazën ajrore siriane me 59 raketa “Tomahawk” të enjten si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike të forcave të Assadit ndaj civilëve në Siri.

Presidenti Donald Trump urdhëroi sulmin me raketa pasi pa në televizor imazhet e të miturve që vuanin nga pasojat e armëve kimike.

“Kemi në dorë të zgjedhim betejat tona. Bëhet fjalë për ndryshim prioritetesh, e prioriteti ynë nuk është më të qëndrojmë pa bërë gjë, por të largojmë Assadin”, tha Haley për reporterët më 30 mars, disa ditë përpara se dhjetëra civilë sirianë të vdisnin nga përdorimi i gazit toksik.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka mbajtur gjithsesi një qëndrim më të kujdesshëm në lidhje me Assadin, teksa tha të shtunën se prioriteti kryesor i Uashingtonit është mposhtja e Shtetit Islamik.

Sapo kërcënimi nga ISIS të jetë reduktuar apo eliminuar, “mendoj se mund ta kthejmë vëmendjen drejtpërdrejt në stabilizimin e situatës në Siri”, tha Tillerson në një intervistë për “CBS”.

Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë se mund të ndihmojnë në afrimin e palëve dhe nisjen e një procesi për arritjen e zgjidhjes politike. “Nëse mund të arrijmë armëpushimin në disa zona të stabilizuara në Siri, atëherë besoj se ne mundemi të kemi edhe kushtet për të nisur një proces serioz politik”, tha Tillerson.

Forcat siriane ndërmorën të tjera sulme ajrore të shtunën, duke vrarë 18 persona, mes të cilëve 5 fëmijë, në provincën e kontrolluar nga rebelët, Idlib, sipas raporteve të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut dhe shërbimit të mbrojtjes civile dhe shpëtimit.