Botë

Trump largon nga Këshilli për Siguri Kombëtare një ndihmës të tij

Descriptive Text

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump raportohet se ka larguar strategun e tij politik, Steve Bannon nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, thonë burime të Shtëpisë së Bardhë.

Përbërja e re e Këshillit për Siguri Kombëtare u njoftua sot në Regjistrin Federal por emrat do të bëhen publik nesër.

Burime nga Shtëpia e Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se memorandumi largon Bannon dhe e rikthen drejtorin e inteligjencës kombëtare dhe kreun e shefave të përbashkët të stafit, si anëtarë të përhershëm të panelit.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i ka thënë agjencisë Associated Press se Bannon më nuk ishte i nevojshëm të ishte anëtarë i përhershëm të këshillit, pas dorëheqjes në muajin shkurt, të këshilltarit të Trumpit, për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Vendimi i Trumpit për të emëruar Bannon në këshill, ishte pritur me polemika dhe shumë kritikë kanë thënë se një operativ politik nuk duhet të ketë rol në diskutimet për çështjet e sigurisë kombëtare.

Agjencia Reuters, ka cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se largimi i Bannon ishte fitore për këshilltarin aktual të sigurisë kombëtare H.R. McMaster, i cili thuhet se ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Bannon.