Botë

Sot dita në Kuvendin e Maqedonisë për emrin e ri

Kuvendi i Maqedonisë sot pritet të votojë propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut, që gjatë fundjavës u nënshkrua në Prespë midis autoriteteve të Shkupit dhe Athinës, informon INA.

Shërbimet e Kuvendit kanë informuar se seanca është caktuar në orën 11:00, ku do të pasojë votimi me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetëve. Deputetët e VMRO-DPMNE dje bojkotuan debatin në komisionet parlamentare, ku propozim-ligji kaloi me shumicë votash përmes procedurës së shkurtuar.

Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, deklaroi se pas miratimit në Kuvend, Greqia ka për obligim ta njoftojë presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk se jep përkrahje për fillim të negociatave me BE-në, por edhe sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg se e mbështet ftesën për inkuadrimin e Maqedonisë në NATO.

“Këshilli i Qershorit është para nesh, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare do të takohen më 25 ose 26 qershor, ndërsa Këshilli më 29 qershor. Këto data janë kyçe për perspektivën evropiane të vendit dhe varen nga ratifikimi i marrëveshjes. Që t’i arrijmë këto rezultate propozojmë që Kuvendi të vendos që Ligji të sillet me procedurë të shkurtër.”, theksoi ministri Dimitrov.

VMRO-DPMNE vazhdon të jetë kundër ratifikimit të Marrëveshjes dhe ratifikimit me procedurë të shkurtër. Në konferecë për media, deputeti Antonio Milloshovski, deklaroi se do ta lëshojnë seancën për ratifikimin e marrëveshjes. Për opozitën maqedonase ky ligj mbetet antikushtetues dhe në dëm të shtetit dhe qytetarëve.