Motoskafi me mbi 3,000 kuajfuqi i frymëzuar nga hiper-vetura e Mercedesit

Motoskafi me mbi 3,000 kuajfuqi i frymëzuar nga hiper-vetura e Mercedesit

18 shkurt 2018 17:27

Mercedes-AMG dhe Cigarette Racing Team vazhdojnë bashkëpunimin e tyre shumëvjeçar dhe këtë vit në International Boat Show (panairi ndërkombëtar i anijeve), i cili mbahet në Miami, kanë prezantuar një projekt të ri të përbashkët.

Fjala është për projektin Cigarette Racing 515 Project One, ku si frymëzim për këtë motoskaf të gjatë 15.6 metra ka shërbyer modeli Mercedes-AMG Project One, transmeton Koha.net. Kjo nënkupton se motoskafi ka eksterier me ngjyrë të kombinuar gri-zezë ngjashëm sikur hiper-vetura e Mercedesit.

Motoskafi Cigarette Racing 515 Project One vjen me dy motorë Mercury Racing V8 me kapacitet prej 3,100 kuajfuqi në total, shpejtësinë maksimale i cili e arrin deri në 225 kilometra në orë, trupin e përbërë nga fibra të xhamit (ose ndryshe që njihet si leshi i xhamit), materialit të quajtur kevlar (i cili përdoret për krijimin e jelekëve anti-plumb), si dhe nga fibra të karbonit. Po ashtu, vjen edhe me interier që ka hapësirë për gjashtë persona.

Sa i përket çmimit, ende nuk është zbuluar por sigurisht se nuk do të ketë çmim të lirë.

Kujtojmë se hiper-vetura Mercedes-AMG Project One vjen me motor 1.6-litër V6 Turbo të huazuar nga F1 (me kapacitet prej 603 kuajfuqi) dhe me katër motorë elektrikë (dy përpara dhe dy në pjesën e pasme), si dhe me baterinë litium-jon, marshin manual të automatizuar Xtrac me 8 shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat.

Fuqia e kombinuar apo në total e kësaj hiper-veture është 1086 kuajfuqi, ku shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për më pak se 3 sekonda, deri në 200 km/h e arrin për 6 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 350 km/h.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme