Kjo është Kia Ceed e re, së shpejti debuton në Gjenevë

Kjo është Kia Ceed e re, së shpejti debuton në Gjenevë

06 shkurt 2018 14:07

Kompania e njohur Kia Motors gjeneratën e re, të tretën, të modelit Ceed do ta prezantojë zyrtarisht në panairin e veturave në Gjenevë, i cili do të mbahet nga 8 – 18 mars.

Si paralajmërim, sot është publikuar një fotografi e cila shfaq Kia Ceedin në formë të skicës, transmeton Koha.net. Megjithatë, një model i tij i maskuar është parë gjatë testimeve në Korenë e Jugut, ku patëm mundësinë që të shohim pak a shumë dizajnin e tij.

Në fillim do të jetë në dispozicion në version Hatchback me pesë dyer, dizajni i të cilit është frymëzuar në konceptin tërheqës Proceed i cili është prezantuar në panairin e fundit në Frankfurt. Duhet theksuar se për dizajnin e tij përgjegjës ishte Qendra Evropiane për Dizajn e Kias e cila gjendet në Frankfurt.

Ceed i ri, sa i përket teknikës, do të jetë kushëri i gjeneratës së re të Hyundai i30, që nënkupton se mund të presim edhe gamën e njëjtë të motorëve dhe marsheve.

Kujtojmë se Hyundai i30 është në dispozicion me këta motorë: benzinë 1.0-litër me kapacitet prej 120 kuajfuqi, benzinë 1.4-litër me 100 kuajfuqi, benzinë 1.4-litër me 140 kuajfuqi, dizel 1.6-litër me 95 kuajfuqi, dizel 1.6-litër me 110 kuajfuqi, si dhe dizel 1.6-litër me 136 kuajfuqi.

Varësisht nga versioni, Ceed i ri do të jetë në dispozicion me marshin manual me gjashtë shpejtësi ose me marshin e DCT me shtatë shpejtësi.

Mbetet të shihet nëse edhe versioni GT do të bëhet me pasardhës, dhe nëse kjo do të ndodhë atëherë Ceed GT i ri do të mundë të kishte motorin 2.0-litër të Hyundai i30 N në version me 250 dhe 275 kuajfuqi.

Megjithatë, Hatchback është vetëm njëri nga versionet e planifikuara të familjes së Ceedit të ri. Versioni më interesant do të jetë versioni SUV, përmes të cilit Kia Motors do të përpiqet që të zgjerohet në tregun e SUV/Crossoverëve, përcjell Koha.net. Tani për tani, nuk dihet se kur do ta ketë premierën versioni SUV por përmendet se mund të mbajë emrin Xceed. Po ashtu, edhe te ky model mund të presim gamën e njëjtë të motorëve benzinë e dizel.

Në gjeneratën e re të Ceedit nuk do të jetë versioni Pro Ceed me tre dyer, por ndoshta konsumatorëve do t’u tërheqë vëmendjen versioni i ri Shooting Brake i bazuar në konceptin Proceed të prezantuar në Frankfurt.

Shitja e Ceedit të ri në version Hatchback do të fillojnë në gjysmën e dytë të këtij viti.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme