Auto

Mësohet data e promovimit të Audi A8 të ri

Audi A8 aktual është prezantuar në dhjetor të vitit 2009 dhe në vitin 2013 është stilizuar, ndërsa gjenerata e re e tij (me etiketën D5) sipas njoftimeve të tanishme pritet të promovohet më 11 qershor të këtij viti në panairin “Audi Summit”, i cili do të mbahet në Barcelonë.

Gjenerata e re e Audi A8 për publikun e gjerë do të jetë në dispozicion në shtator të këtij viti, në panairin e veturave në Frankfurt.

A8 i ri, sipas disa njoftimeve të mëparshme, në kompaninë Audi pritet të jetë modeli “më i bukur dhe më luksoz”, si dhe do të jetë më i lehtë për dallim nga paraardhësi dhe do të vijë me platformën MLB Evo, transmeton Koha.net.

Me një dizajn tërheqës të bazuar në konceptin Prologue (ku për pamjen përgjegjës do të jetë Marc Lichte, kreu i departamentit të dizajnit në Audi, i cili thotë se modeli i ri do të jetë një kombinim mes elegancës britanike, veturës sportive italiane dhe besueshmërisë gjermane), A8 i ri do të ketë një interier të rehatshëm dhe më shumë hapësirë, instrument-tabelën digjitale, më shumë siguri dhe disa sisteme për ndihmë të shoferit.

Gjithashtu, Audi A8 i ri do të ketë edhe sistemin e avancuar Traffic Jam Assist (me shpejtësi deri në 60 kilometra në orë), sistemin e modifikuar Audi Drive Select, amortizatorët e avancuar me ajër, sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat, Quattro, etj.

Image

Në ofertë do të jetë në dispozicion edhe versioni me boshtin e rrotave më të zgjeruar dhe me më shumë hapësirë për pasagjerët në pjesën e pasme të veturës.

Audi A8 i ri do të tërheqë vëmendje edhe me gamën e motorëve. Para se gjithash, në dispozicion do të jetë motori benzinë W12 me kapacitet prej 565 kuajfuqi, motori 4.0-litër V8 me 460 kuajfuqi, 3.0-litër V6 TDI me 272 kuajfuqi, si dhe 4.0-litër V8 TDI me 408 kuajfuqi dhe 5.0-litër V10 TDI me 500 kuajfuqi.

Në fund, oferta do të përfundojë me versionin plug-in hibrid.