Auto

Veturat elektrike nuk do të zvogëlojnë kërkesën për karburant në 20 vjetët e ardhshme

Descriptive Text

Rritja e popullaritetit të veturave elektrike nuk do të zvogëlojë kërkesën për karburant dhe se shumica e veturave të reja do të vazhdojnë të përdorin karburant, së paku në 20 vjetët e ardhshme.

Në raportin e Fact Global Energy thuhet se përkundër shtimit të veturave elektrike, ato me karburant do të vazhdojnë të dominojnë nëpër rrugët e botës në dy dekadat e ardhshme.

Deri në vitin 2040 parashikohet se numri i veturave për pasagjerë do të arrijë në 1.8 miliard. 10 për qind e kësaj shifre do të jetë me vetura elektrike. Kjo do të paraqiste një ngritje të madhe – kur dihet se vetëm 1 për qind e veturave të prodhuara gjatë vitit 2016 ishin elektrike – por kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur kërkesën për karburant.

Sipas analistëve të FGE-së, kompanitë duhet të shikojnë përtej çmimit të ulët të baterive. FGE bën thirrje që qeveritë të përkrahin idenë e veturave elektrike.

Teknologjia e baterive po përmirësohet dhe prodhuesit e veturave kanë filluar të ofrojnë bateri të fuqishme, por zhvillimi i tyre nuk është i shpejt sa duhet për të ngjallur interesimin në veturat elektrike, transmeton Koha.net.

Densiteti i baterisë është një problem tjetër dhe raporti tregon se nuk këtu nuk janë bërë hapa të mjaftueshëm. Bateritë e mëdha për rrugë më të gjata mund të kenë efekt negativ pasi kanë më shumë peshë, derisa prodhuesit po kërkojnë bateri më mëdha me pak peshë.

Raporti pohon se fati i karburanteve do të vendoset në tregun e Azisë sesa në Perëndim. FGE parashikon se në Azi kërkesa për karburant do të rritet shumë më shumë sesa për bateri.