Auto

Bugatti i rrallë i vitit 1993 në ankand

Bugatti i rrallë EB110 GT i vitit 1993 do të shitet përmes shtëpisë së ankandit “RM Sotheby’s” muajin e ardhshëm në Phoenix, Arizona.

Bugatti EB110 GT ka ekzistuar para modelet Chiron dhe Veyron. Kjo super-veturë e Bugattit ka motor 3.5-litër V12 me katër Turbo-mbushës e kapacitet prej 560 kuajfuqi, transmeton Koha.net. Motori i tij është në kombinim me marshin manual me 6 shpejtësi dhe me sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat. Karroceria e tij është e ndërtuar nga fibra të karbonit.

Bugatti ka prodhuar më pak se 150 njësi të EB110 GT, para se të futej në problemet financiare. August Nuechter në vitin 1995 këtë super-veturë e dërgoi në fabrikë për servisim, por atë e kanë pritur punëtorët e pakënaqur pasi që kishin dëgjuar se kompania ka bankrotuar.

Pavarësisht kësaj, Neuchter e ka mbajtur EB110 GT e tij dhe gjatë dy dekadave me të ka kaluar vetëm 4,540 kilometra, përcjell Koha.net. Kur ai është shpërngulur në SHBA, edhe super-veturën e Bugattit e kishte shpërngulur po ashtu. Certfikatën për udhëtim në rrugët amerikane e ka marrë në vitin 2005.

Kjo super-veturë do të shitet në muajin janar të vitit të ardhshëm me çmim mes 750,000 dhe 950,000 dollarë. Chiron i ri kushton mbi 2.5 milionë dollarë, ndërsa modeli klasik Bugatti Type 55 Roadster i vitit 1932 në ankandin e mbajtur së fundmi është shitur për mbi 10 milionë dollarë.

{gallery}