Auto

Kur do të arrijë versioni më i fuqishëm i BMW M2

Ashtu siç tashmë dihet, BMW si përgjigje e kërkesës së entuziastëve të versionit më të fuqishëm të modelit M2, i cili fabrikisht ka 370 kuajfuqi, vitin e ardhshëm do të sjellë një version edhe më të fuqishëm të këtij modeli.

Sipas disa mediave, emri i versionit më të fuqishëm të këtij modeli do jetë M2 Competition dhe se do të arrijë gjatë muajit prill të vitit të ardhshëm, transmeton Koha.net. Prodhimi i tij zyrtarisht pritet të fillojë në qershor të 2018-ës, ndërsa dërgesat e para do të fillojnë ka fundi i verës së ardhshme.

BMW M2 Competition do të karakterizohet me më shumë kuajfuqi, amortizatorët e modifikuar dhe rrotat me diametër prej 19-inç.

Nën kofanon e këtij versioni të ri do të gjendet motori 3.0-litër me gjashtë cilindra, i huazuar nga modeli M3/M4, dhe kapacitet prej 405 kuajfuqi si dhe në kombinim me marshin M-DCT prej 7 shpejtësive ose marshin manual me 6 shpejtësi.

Gjithashtu, BMW M2 Competition, ndër të tjera, do të jetë në dispozicion me eksterier me ngjyrë argjendi “Hockenheim” dhe ngjyrë portokalli “Sunset”, ndërsa interieri i tij do të karakterizohet me ulëset sportive me lëkurë “Dakota” me ngjyrë të zezë e në konstrast me qepjet me ngjyrë të kaltër ose portokalli.

Natyrisht, versioni i fuqishëm i BMW M2, Competition, do të jetë më i shtrenjtë për dallim nga ai aktual dhe revista e njohur gjermane “Auto Bild” vlerëson se çmimi i tij mund të jetë plot 75,000 euro.