Auto

Kështu duket interieri i gjeneratës së re të Mercedes G-Class

Pas publikimit të fotografive të interierit të A-Classës së re e cila pritet të debutojë në mars të vitit të ardhshëm në panairin e veturave në Gjenevë, Mercedes tani ka publikuar një set fotografish zyrtare të G-Classës së re premiera e të cilit do të mbahet muajin e ardhshëm në panairin NAIAS të veturave, në Detroit.

G-Class për katër dekada ka kaluar nëpër ndryshime të shumta, duke ofruar secilën herë më shumë rehati dhe teknologji moderne por duke mos lënë anësh asnjëherë aftësitë e saj për terrene të ndryshme, transmeton Koha.net. Sipas informacioneve aktuale, G-Class e re peshon më pak dhe është më e gjerë për dallim nga gjenerata aktuale, me boshtin e rrotave më të gjatë dhe më shumë hapësirë në interier.

Gjithashtu, gjenerata e re G-Class (me emrin kodues W464) ka ruajtur formën e famshme kubike ndërsa ndryshime të mëdha ka pësuar interieri i tij. Përveç dizajnit të veçantë dhe teknologjisë moderne, duhet theksuar se interieri i gjeneratës së re të G-Class ofron më shumë hapësirë për pasagjerët në pjesën e pasme. Po ashtu, edhe kapaciteti i bagazhit është më i madh për dallim nga gjenerata aktuale.

Duhet theksuar edhe instrument-tabelën, sistemin e zërimit Burmester Surround Sound me 16 altoparlantë, si dhe sistemin Android Auto dhe Apple CarPlay.

Në gamën e motorëve, ndër të tjera, në ofertë do të jetë edhe motori benzinë 4.0-litër Twin-Tubro V8 si dhe motori i ri dizel 2.9-litër me gjashtë cilindra.

{gallery}