Ndërkombëtarizohet automobilizmi i Kosovës

Ndërkombëtarizohet automobilizmi i Kosovës

08 dhjetor 2017 17:56

Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) është pranuar si anëtare e përhershme e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).

Vendimi është marrë të premten, në Paris, nga asambleja e përgjithshme e FIA-s, e cila i ka zhvilluar punimet e saj nga 4 deri më 8 dhjetor.

Për autosportin e Kosovës më e rëndësishme ka qenë dita e fundit e këtyre punimeve, në të cilën është vendosur për FASK-un, e që fatmirësisht gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë.

“Ky ka qenë edhe hapi i fundit për të cilin FASK-u ka pasur nevojë. Realisht, nuk kemi pritur të kemi probleme, por natyrisht që tani marrim frymë edhe më lirshëm, pasi edhe zyrtarisht Federata jonë është anëtare e përhershme e FIA-s. Tani na mbetet të punojmë edhe më tepër për ta çuar auto sportin tonë përpara”, ka thënë kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.

Për pranimin e FASK-ut si anëtare e përhershme e FIA-s kanë votuar shumica absolute e të pranishmëve. Kundër këtij vendimi kanë qenë vetëm dy vota dhe një abstemin.

Përfaqësuesi i Federatës së Auto Sportit të Serbisë është përpjekur të kundërshtojë pranimin e FASK-ut me arsyetimin se Kosova nuk është njohur nga shumica e shteteve, por fjala e tij nuk është përfillur nga delegateët e asamblesë së FIA-s.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme