Auto

Ngushtohet hendeku mes prodhuesve kinezë të automjeteve me ata globalë

Hendeku cilësor mes automjeteve kineze dhe atyre ndërkombëtare vijoi të ulet, ndërsa tashmë kompanitë nga Kina performojnë më mirë se rivalët në 3 nga 8 kategori të vëzhguara.

Këtë e thotë studimi i përvitshëm i firmës së konsultimit J.D. Power, e cila thotë se anketa e për 2017 tregoi se numri mesatar i problemeve të hasura nga drejtuesit ra në 13, nga 14 që ishte një vit më parë.

Që nga viti 2000 kur nisi kompania sondazhet, automjetet kineza janë përmirësuar me hapa gjigante. Blerësit e modeleve kineze atë vit ngrinin 396 ankesa më shumë se blerësit e automjeteve rivale të huaja.

“Automjetet kineze po i arrijnë shumë shpejt markat ndërkombëtare. Po i kapin shumë shpejt. Ndryshimet cilësore po bëhen gjithmonë e më të vogla”, thotë Jacob George, kreu i J.D. Power për operacionet në rajonin e Azisë Paqësore.

Tre kategoritë ku markat kineze dolën lehtësisht në avantazh në cilësi ishin: veshja e brendshme e automjetit; kontrollet dhe ekranet; si edhe audioja/argëtimi/navigimi.

Megjithatë, të gjithë performuesit më të mirë në studimin e cilësisë së këtij viti ishin përsëri markat ndërkombëtare, përveçse në kategorinë e fuoristradave të vogla, ku konkurrojnë një numër i limituar modelesh të huaja.

Ndër performuesit e huaj më të mirë në Kinë përfshihen Hyundai, Kia, Porsche, Lexus, Mazda dhe Audi.