Auto

Në panairin e Frankfurtit “aterron” automobili fluturues

Përveç automobilave klasikë, në panairin aktual në Frankfurt është ekspozuar edhe një risi, e cila përveç asfaltit mund “të vozitet” edhe në rrugët qiellore.

Kompania AeroMobil prezantoi në stendën e vet modelin e automjetit, i cili mund të fluturojë.

Versioni më i ri 4.0 është i teknologjisë së lartë, i konstruktuar në atë mënyrë që në vete lidh atë që është më e mira nga industria automobilistike dhe aeronautikës, transmeton KosovaPress.

Dizajni i këtij automjeti/fluturake është i inspiruar nga automobilat sportivë dhe kur është në tokë lëviz me ndihmën e sistemit elektrik, i cili fuqinë e bart në rrotat e fundit.

AeroMobil pohon se autonomia në vozitje me bateri të mbushur është rreth 700 km, që është dukshëm më e lartë se sa automobilat e sotëm klasikë me rrymë, derisa shpejtësia maksimale në rrugë është 160 km/h.

Pas përgatitjes tre minutash, automjeti është i gatshëm për fluturim. Atëherë aktivizohet motori turbo me katër cilindra 2.0 litra, i cili prodhon 300 kuaj fuqi.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, automjeti është i pajisur me jastëk ajrorë, por edhe me parashutë në rast se vjen deri te ndonjë incident gjatë fluturimit.

AeroMobil thotë se janë të gatshëm të pranojnë porositë e blerësve potencialë dhe prodhimi pritet të nisë gjatë vitit 2018.

Çmimi i këtij automobili fluturues nuk është bërë i ditur, por jo zyrtarisht pritet të kushtojë rreth 1.25 milion euro. Pronarët e parë të këtij automjeti/fluturake mund t’i presin në garazhe/hangarë deri në vitin 2020.

{gallery}