Auto

Zyrtarizohet Renault Megane RS i ri

Renault Sport së pari ka prezantuar gjeneratën e re të Megane RS në fund të muajit maj në Monaco, por atë kohë modeli ishte i kamufluar dhe nuk ka zbuluar fare detajet konkrete. Tani, asgjë nuk fshihet, sepse francezët Megane RS-in e ri sot e kanë prezantuar zyrtarisht para gazetarëve në panairin e veturave në Frankfurt.

Megane RS i ri do të jetë në dispozicion për blerësit vetëm në formë Hatchback me pesë dyer, transmeton Koha.net. Modeli i ri vjen me motor benzinë 1.8-litër Turbo me katër cilindra e kapacitet prej 206 kW/ 280 kuajfuqi, eksterier “agresivë”, rrotat më të mëdha, amortizatorët sportiv, frenat e forta, sistemin sportiv të shkarkimi të gazrave të vendosur në qendër të boshtit të veturës, si dhe enterier të modifikuar me ulëset dhe timonin sportiv. Sa i përket marshit, përmendet ai manual me gjashtë shpejtësi dhe ai EDC i dyfishtë.

Renault Megane RS i ri do të vazhdojë të ofrohet me sistemin e tërheqjes me rrotat e përparme, e së bashku me të edhe sistemin e drejtimit 4Control në të gjitha rrotat. Renault thotë se ky sistem “veturën e bën më të shkathët e më precize dhe e ndihmon që të arrijë performancë më të mirë duke përdorur aktuatorët elektromagnetik të montuar në boshtin e rrotave të pasme” dhe se “inxhinierët e Renault Sportit e kanë ngritur funksionimin e sistemit 4Control në mënyrë që të sjellë gatishmëri të jashtëzakonshme në shpejtësitë e ulëta dhe stabilitet të pakrahasueshëm në kthesa të shpejta”.

Lexoni edhe: 

Automan në hapje të panairit Frankfurt IAA

Gjithashtu, blerësve do t’iu ofrohet të zgjedhin amortizatorët Sport apo Cup, ku sipas informacioneve nga fabrika thuhet se amortizatorët Sport ofrojnë performancë të shkëlqyeshme për vozitje të përditshme ndërsa Cup ofron karakteristika sportive të nivelit të lartë, të gatshëm edhe për pistat e garave.

Në Britani, Megane RS i ri pritet të dalë për shitje në pranverën e vitit të ardhshëm me çmim prej 27,500 funte, çmim më i ulët se i Honda Civic Type R i cili në Britani të Madhe kushton 30,200 funte.

Me këtë model të ri, po ashtu, mund të presim edhe “sulmin” e Renaultit për rekordin për veturat serike me sistemin e tërheqjes në rrotat e përparme të cilin për momentin në Nurburgring e mban Honda Civic Type R.

Duhet theksuar se gjatë verës së vitit 2018, do të arrijë edhe versioni i ri, më i fuqishëm, i Megane RS të ri i cili do të quhet Megane RS Trophy dhe pritet të ketë 300 kuajfuqi.

Prodhimi i Megane RS të vjetër ka përfunduar në gusht të vitit të kaluar dhe duhet kujtuar se ky model është shfaqur në vitin 2009 dhe se për 7 vjet janë prodhuar rreth 30,000 modele të tilla, të cilat janë shitur në mbi 30 shtete – duke përfshirë Evropën, Japoninë, Kinën, Singapurin, Afrikën Jugore, Australinë, etj.

{gallery}