Auto

Prodhuesit gjermanë me program për të shpëtuar veturat me naftë

Prodhuesit gjermanë të veturave kanë ofruar një ndihmesë për të zvogëluar ndotjen e qyteteve duke rifreskuar programin për 5 milionë vetura me naftë si përpjekje për të shmangur ndalimin e tyre dhe për të riparuar reputacionin e tyre.

Që kur Volkswageni ka pranuar se ka mashtruar me emetimin e gazrave në SHBA në shtator të 2015-ës, kancelarja Angela Merkel ka qenë nën presion të madh duke u akuzuar se nuk ka reaguar sa duhet dhe se është e afërt me prodhuesit gjermanë të fuqishëm të veturave, transmeton koha.net.

Ky veprim duhet të zvogëlojë ndotjen, derisa ndalimi i veturave me naftë është duke vazhduar në shumë qytete të mëdha në mbarë botën.

Ndërsa tani janë duke u hetuar edhe shumë prodhues të tjerë gjermanë të veturave, si BMW, Daimler (Mercedes), Audi, Porsche e VW, nga komisioni Evropian për marrëveshje të fshehta anti-konkurruese.

Sipas të dhënave Gjermane të shitjeve, veturat me naftë kanë rënë në shitje për 12.7 për qind gjatë korrikut.

Tani veturat me naftë përbëjnë vetëm 40.5 për qind të veturave të reja të shitura në Evropë, ndërsa ishte 46 për qind gjatë vitit të kaluar.