Auto

Tokio 2020: Toyota rinis punën me veturat vetëvozitëse pas aksidentit

Descriptive Text

Gjiganti i veturave, Toyota, i është kthyer punës me automobilat e vetë autonomë në fshatin e Lojërave Paralimpike në Tokio pas një aksidenti të javës së shkuar.

Shërbimet e kabinave e-Palette u ndërprenë pasi një veturë goditi një atlet. Ai s’u lëndua rëndë, por iu desh t’i jepte fund garimit për shkak të prerjeve.

Veturat tani do të kenë më shumë kontrollerë dhe staf që të sigurohen se s’do të prekin ndokënd.

Aramitzu Kitazono, pjesëtar i ekipit japonez të xhudos, u godit të enjten teksa po kalonte në një vendkalim. Ai nuk arriti të garonte më në kategorinë deri 81 kilogramë për shkak të aksidentit.

Në një njoftim të së hënës, Toyota ka thënë se sensori i veturës kishte vënë re kalimtarin dhe ka aktivizuar frenimin automatik e se operatori po ashtu frenimin emergjent, por se vetura ka rënë në kontakt me kalimtarin para se të ndalej tërësisht.

Kompania ka thënë se tani do të jenë dy operatorë në kontroll të veturave për të ndihmuar kalimtarët.

Masat e reja të sigurisë po ashtu përfshijnë edhe zërin më të lartë të alarmit, ndërsa këmbësorët do të kenë më shumë guidë për vendkalime në fshatin paralimpik.

Toyota ka thënë se do të vazhdojë të përmirësojë masat e sigurisë përditë.

Kompania japoneze ka kërkuar falje publike pas incidentit.