Auto

BMW punon me kompozitor të njohur për të krijuar zërin e veçantë të veturave elektrike

Gjiganti i automobilave, BMW, është në dijeni se teksa veturat elektrike ofrojnë nivelin e lartë të rehatisë duke qenë të heshtura, eksperienca e ngasjes humb një shkallë të emocioneve. Për të arritur eksperiencën e ngasjes emocionale në timon, BMW ka krijuar një portfolio të zërit për modelet elektrike apo hibride.

I zhvilluar në bashkëpunim me kompozitorin e njohur Hans Zimmer, njeriu prapa filmave “Lion King”, “Dunkirk”, “The Dark Knight Trilogy”, zëri i veçantë i veturave do të jetë pjesë e modeleve si iX, i4 dhe versionit M të modelit i4.

Duke punuar me Renzo Vitalen, drejtorin kreativ për zërin në BMW, Zimmer ka zhvilluar një linjë të zërave të ngasjes, për të cilat kompania thotë se “do të kthejnë qeshjet në fytyrat e klientëve”.

Secili model dallon për nga zëri i tij, me modelin M që ka zë me më shumë energji.

“Kur shtypni pedalin e një veture M, papritmas fitoni të rrëqethura në gjithë trupin. E kemi përkthyer këtë ndjenjë në zë të vozitjes që shfaq fuqi superiore dhe energji”, ka thënë Vitale.

Të dy kanë punuar edhe në krijimin e zërave për modelet e shkuara.

Sistemi i veçantë do të jetë standard te modelet e reja.