Auto

VW-ja shpalos robotin për mbushje të veturave elektrike

Teksa kompanitë e veturave po synojnë të kthejnë në treg të natyrshëm veturat elektrike, është rritur edhe kërkesa për infrastrukturë të duhur për mbushje. Kompanitë nuk po i ofrojnë stacionet e mbushjes si pjesë të planit, por Volkswageni ka menduar për këtë.

Dega e kompanisë gjermane, që do të jetë përgjegjëse për sistemet e mbushjes, ka prezantuar prototipin e parë të robotit të mbushjes së veturave elektrike. Është përditësim i robotit mobil që ishte paralajmëruar një vit më herët.

Roboti kontrollohet përmes një aplikacioni. Sapo të aktivizohet, ai i afrohet veturës dhe aktivizon procesin e mbushjes me rrymë. I gjithë procesi i mbushjes me energji bëhet pa intervenim njerëzor.

Në këtë proces përfshihet aktivizimi i sistemit, hapja e kapakut për mbushje, vendosja e mbushësit në prizë.

Kapaciteti i këtyre robotëve nuk u zbulua, por pritet që me zhvillimin e mëtejmë kompania të japë detaje, në muajt apo vitet e ardhshme.

Roboti mbushës është vetëm një tjetër përpjekje për të garantuar për sukses të mobilitetit elektrik.