Auto

Robotaksitë, shërbimi më i ri kinez në kohë pandemie

Tashmë disa vjet radhazi, bota ka lëvizur drejt automobilave tërësisht autonomë. Në Kinë, një kompani porsa ka bërë një hap të madh drejt bërjes realitet të këtij qëllimi.

Të enjten, “AutoX”, një kompani e përkrahur nga “Alibaba”, ka njoftuar se ka lëshuar në qarkullim robotaksitë tërësisht autonomë nëpër rrugët publike të Shenzhenit. Kompania ka njoftuar se me këtë është bërë e para që në Kinë ka vepruar kësisoj, duke shënuar një të arritur të rëndësishme në autoindustri.

Në të kaluarën, kompanitë që operonin me transportin autonom në rrugët publike të këtij shteti kishin shumë kufizime të rrepta. Ndër to ishte edhe kërkesa që patjetër të ketë një ngasës brenda për shkaqe sigurie.

Ndryshimet

Programi i ri është ndryshe. Në Shenzhen, “AutoX” ka hequr tërësisht ngasësin “rezervë”, apo operatorë të tjerë të mundshëm për 25 automobilat e tij në një linjë lokale, ka bërë të ditur kjo kompani. Qeveria nuk ka caktuar masa për hapësirën ku “AutoX” vepron, edhe pse kompania ka njoftuar se është e fokusuar në qendër të qytetit.

“AutoX” ka publikuar një video të një “Fiat Chrysler Pacifica”-s që ecën pa shofer nëpër qendër të qytetit, duke pranuar pasagjerë, duke pranuar pako në pjesën e pasme e duke lejuar edhe qentë. Po ashtu, vetura shihet teksa qarkullon përreth kamionëve të mbushur, teksa kujdeset për këmbësorët e bën madje edhe rrotullime të plota.

“Është një ëndërr”, ka thënë shefi ekzekutiv i “AutoX”, Jianxiong Xiao. “Pas një pune kaq të madhe për shumë vjet, më në fund kemi arritur në një pikë që teknologjia të jetë e pjekur mjaftueshëm, saqë të kemi vetëbesim që të largojmë tërësisht ngasësin për shkaqe sigurie”.

Xiao ka thënë se kompania ka fituar kundrejt rregullatorëve, pasi që kishte punuar të bëjë përmirësime si në softuer, ashtu edhe në harduer.

“Kemi më shumë se 100 vetura që grumbullojnë të dhëna në rrugët e Kinës çdo ditë”, ka thënë ai. “Softueri i inteligjencës artificiale tani është më i mirë”. “Nga një këndvështrim teknik, vetura është e gatshme. Është tejet me rëndësi të kemi këtë veturë, përndryshe s’mund të dalim pa shoferë”, ka deklaruar më tej Xiao.

“AutoX” ishte themeluar më 2016 nga Xiao, ish-ligjërues në Universitetin e Princetonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vazhdon të pëlqejë nofkën “Profesori X”. Kompania me bazë në Shenzhen është e fokusuar në teknologjinë që i bën veturat të ecin vetëm dhe ka për partnerë kompani të mëdha, si “Fiat Chrysler”, për të zhvilluar dhe për të nxjerrë në treg robotaksitë e veta.

Iniciativa e re është ende në fazë testuese dhe nuk është e hapur për publikun. Kjo s’pritet të ndryshojë së shpejti, sipas Xiaos, që ka thënë se shpreson të marrë lejen për ta zgjeruar programin për pasagjerë të rregullt në dy apo tre vjetët e ardhshëm.

Gara për robotaksitë

Përderisa “AutoX” ka krijuar avantazh në Kinë, s’është hera e parë që taksitë pa shoferë dalin nëpër rrugët publike. Këtë verë kompania mori provimin për të kryer testime tërësisht autonome nëpër rrugët publike të San Joses në Kalifornia, duke tejkaluar një pengesë në një nga tregjet më të rëndësishme për të.

Në tetor, “Waymo” e “Alphabetit” eci më tutje duke thënë se do të hapë shërbimin e transportit pa shoferë për punëtorët shtetërorë në Phoenix të Arizonas.

Image

Gara e brendshme është duke u nxehur. Së fundmi, kompanitë kineze kanë nisur t’i lejojnë njerëzit të përjetojnë emocionet se si është të jesh brenda një veture që ecën vetë.

Këtë vit, pandemia e koronavirusit ka dëshmuar nevojën për sa më shumë shërbime pa kontakte, që ka nxitur qeverinë të ecën më shpejt drejt teknologjisë autonome, ka thënë Xiao.

Në qershor, “Didi”, kompani e madhe kineze për ngasje të përbashkët, nisi të ofronte ngasje falas në automobilat e vet autonomë, brenda një zone në Shangai. Gjiganti teknologjik kinez “Baidu”, së fundmi, njoftoi se kushdo që dëshiron mund të provojë shërbimin e vet të robotaksive nëpër pjesë të caktuara të Pekinit. Të dyja këto programe kërkonin shoferë për shkaqe sigurie.

“AutoX” ka më shumë se 100 robotaksi që funksionojnë në pesë qytete të Kinës, përfshirë Shangain e Wuhanin. Në vitin e ardhshëm ajo synon të dyfishojë shpërndarjen në më shumë se 10 qytete. Nëse kompania do t’i heqë të gjithë shoferët nga timoni në tregjet tjera do të varet nga rregullatorët lokalë, thotë Xiao.

Në Shangai, veturat janë në dispozicion për përdoruesit që udhëtojnë përmes aplikacionit “Autonavi” të “Alibabas”. Ky aplikacion shërben për hartën në Kinë.

Leja e fundit që kjo kompani mori nga autoritetet lokale në Shenzhen erdhi pas gjashtë muajsh testime të kryera aty.

Një nga mësimet kryesore për kompaninë ka qenë adaptimi me kushtet e trafikut në secilin vend, sipas Xiaos. Në Shenzhen, për shembull, shoferët shpesh përballen me biçikleta e skuterë dhe ngasësit atje janë më agresivë se në SHBA, ka thënë ai.

“Skenarët e trafikut janë shumë më sfidues. Për inteligjencën artificiale u desh shumë punë që të adaptonte mënyrën e ngasjes në Kinë”, ka shpjeguar ai.

Kina, shtëpia më e madhe e sektorit të automobilave në botë, mund të bëhet një ditë shteti kryesor për tregun e veturave pa shoferë, sipas një raporti të kompanisë “McKinsey”. Ajo projekton se shteti do të gjenerojë 1.1 trilionë dollarë në të hyra nga shërbimet me automobilat autonomë deri në vitin 2040.

Megjithatë, industria ka ende një rrugë të gjatë përpara. Xiao parashikon që do të duhet të kalojnë edhe pesë vjet që taksitë pa shoferë të duken normalë në Kinë.

“Është tejet sfiduese, por jemi të lumtur”, ka përfunduar ai.