Auto

Gjermania nxit blerjen e veturave elektrike me pakon e rimëkëmbjes ekonomike

Foto: Reuters

Gjermania ka zbuluar pakon gjithëpërfshirëse për veturat e lira elektrike, duke shtyrë përpara përpjekjet e Volkswagenit, përderisa ka penalizuar veturat e mëdha sportive me taksa të reja të larta për ndotjen e ajrit.

Ndihma për blerjen e veturave për pasagjerë, që përfshin një ulje të taksës shtesë në 16 për qind nga 19 sa ishte, është pjesë e pakos 130 miliardë euroshe, por analistët thonë se kjo nuk mund të jetë shtytje e madhe për të rritur kërkesën për blerje të veturave elektrike.

“Ulja e taksës mbi vlerën e shtuar vështirë që do të ketë ndikim”, ka thënë Peter Fuss, partner në “EY”, për “Reutersin”, duke shtuar se veturat elektrike akoma e kanë të vështirë të rriten shumë në tregun e përgjithshëm.

Nëse dikush synon të blejë një veturë elektrike që ka çmim deri në 40 mijë euro, do të mund të marrë një grant prej 9000 eurosh, përfshirë 6000 nga qeveria dhe 3000 nga prodhuesi. Shumë vetura me çmime të larta të BMW-së, Mercedes-Benzit, Audit e Teslas nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë shumë nga kjo pako.

Më së shumti do të përfitojë Volkswageni me modelin ID3 që do të kushtojë 29990 euro kur të lansohet gjatë verës. (Lista e plotë)

Qeveria pret që kostoja për këtë pako të arrijë në 2.2 miliardë euro, nga pakoja 130 miliardëshe për rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit.