Auto

Mercedes ka gati rivalin për BMW i3

Në panairin e veturave në Paris, gjiganti gjerman i veturave Mercedes ka prezantuar Crossoverin e ri elektrik “EQA”.

Këtë vit, në panairin e veturave IAA në Frankfurt, prodhuesi gjerman do të prezantojë konceptin e dytë i cili nuk do të ketë motor SUS.

Kësaj radhe fjala është për versionin Hatchback, i cili do të jetë rival i BMW i3 dhe i versionit serik të konceptit të Volkswagenit, I.D., transmeton Koha.net. Të gjitha modelet elektrike të cilat priten të shfaqen në dekadën e ardhshme, do të jenë në dispozicion me platformën modulare të quajtur MEA.

Ashtu sikur edhe konceptet e kaluara, edhe koncepti i ri do të vijë me maskën e përparme me ngjyrë të zezë e cila dallon modelet EQ nga ato konvencionale të Mercedesit.

Gjithashtu, koncepti i ri EQA do të jetë në dispozicion me çmim më të lirë për dallim nga Crossoverët e zakonshëm dhe pritet që të dalë në shitje në vitin 2020 me sistemin e tërheqjes vetëm me rrotat e përparme me një motor elektrik aktiv. Versioni më i fuqishëm i këtij koncepti, i cili do të jetë në dispozicion me dy motorë elektrikë dhe sistemin e tërheqjes AWD, është duke u zhvilluar prapa dyerve të mbyllura të Daimlerit.

Mercedes dhe Volkswagen nuk janë të vetmit prodhues që janë duke përgatitur rivalin për BMW i3, sepse edhe Audi është duke planifikuar një model EV të dedikuar për qytet.

Ndërkohë, BMW i3 pritet të “ndryshojë pamjen” për të qëndruar “i freskët”, përmes versionit potencial më të fuqishëm, i3S.