Auto

Skoda Octavia RS iV hibride konfirmohet për panairin në Gjenevë

Gjeneratën e re të Octavia, Skoda e ka prezantuar në muajin nëntor të vitit të kaluar ndërsa gjatë këtij viti gamën e saj do ta plotësojë edhe me versionin sportiv Octavia RS.

Ashtu sikurse Octavia e rregullt, edhe Octavia RS i ri do të ketë platformën MQB, transmeton Koha.net. Po ashtu, do të jetë më e gjatë dhe e gjerë për dallim nga modeli aktual, si dhe do të jetë në dispozicion në version liftback dhe karavan.

Octavia RS i ri, po ashtu, pritet të vijë me maskën e re të përparme, rrotat më të mëdha nga alumini, amortizatorët sportiv, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, si dhe enterierin me ulëset sportive, timon me lëkurë, instrument-tabelën digjitale dhe një seri sistemesh për asistim.

{gallery}

Gjithashtu, më 3 mars në panairin e automjeteve që do të mbahet në Gjenevë, Skoda do të prezantojë versionin plug-in hibrid të Octavia RS-it.

Si paralajmërim, Skoda ka publikuar disa skica të këtij modeli të ri sportiv.

Skoda Octavia RS iV vjen me motor elektrik dhe atë benzinë TSI, në kombinim me marshin automatik. Po ashtu, ky model sportiv do të jetë me kapacitet prej 180 kW/245 kuajfuqi dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për rreth 7 sekonda, si dhe me vetëm motor elektrik do të mund të lëvizë deri në 48 km.

Përveç versionit hibrid, në ofertën e Octavia RS-it do të jenë në dispozicion edhe versionet me motorë dizelë dhe benzinë, marshin manual dhe automatik, si dhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.