Auto

Bumi teknologjik i automjeteve elektrike mund të sjellë vitin e ardhshëm qytetin e parë pa vetura

Dy qytete të mëdha evropiane nga viti i ardhshëm mund të suspendojnë veturat private, kjo për shkak të bumit që pritet të kenë skuterët dhe biçikletat elektrike, raporton Reuters.

Kryeqyteti norvegjez, Oslo dhe qyteti miqësor i biçikletave Amsterdami në Holandë janë kandidatë për t’u bërë qytetet pa vetura në vitin 2020, derisa ato mund të ndiqen nga Franca pas pesë viteve, ka thënë Martin Mignot nga kompania Index Ventures, transmeton Koha.net.

“Njerëzit tani po e kuptojnë se dyndja dhe ndotja kanë arritur pikën kulmore dhe nuk mund të shtohen më shumë rrugë, hapësira është e fundme dhe makina private nuk është më një mënyrë efikase për të lëvizur”, është shprehur ai.

Mignot paralajmëron edhe një revolucion teknologjik.

“Ekziston një revolucion i mirëfilltë teknologjik dhe automjetet elektrike janë lidhja që mungon në rrjetin e transportit”, thotë Mignot.

Tashmë qytetet e mëdha, përfshirë Parisin, Bogotën dhe Xhakartan kanë eksperimentuar me ditët pa makina në një përpjekje për të ndaluar ndotjen e ajrit dhe në mënyrë që trafiku të lirohej, e që zakonisht dominuar nga veturat.