Auto

AFP: Kur makinat gjermane “teshtijnë”, ekonomia “ftohet”

Foto: Reuters

Shtyllë e industrisë gjermane prej dekadash, sektori i automjeteve është kthyer tashmë në thembrën e Akilit, i ndjeshëm ndaj konflikteve tregtare dhe i papërgatitur për të ardhmen, me rrezikun e një bilanci të rëndë social.

“Shëndeti i sektorit të automjeteve është më mirë nga sa ishte parashikuar”, theksoi Marc Forstermann, ekspert i kabinetit EY, në hapje të sallonit të automjeteve në Frankfurt.

“Sfidat teknologjike dhe strukturore janë të mëdha”, shtoi ai.

“Sidoqoftë, në tetë muajt e parë të vitit, prodhimi i automjeteve është ulur me 11% në një vit”, sipas shifrave të federatës së prodhuesve gjermanë, VDA, transmeton ATSH shkrimin e AFP-së.

Shkaku ka qenë lufta tregtare, ngadalësimi ekonomik dhe pasiguritë rreth Brexit, në një kohë kur prodhuesit duhet të investojnë masivisht në sektorin elektrik.

“Efekti mbi furnitorët është shumë i madh, sa ka filluar të vërehet mbikapacitet”, theksoi Stefan Bratzel, drejtor i “Center of Automotive Management”.

Shembulli i fundit, kompania familjare Eisenmann, themeluar në vitin 1951 dhe specializuar për lyerjen e makinave, ka njoftuar në fund të korrikut falimentimin e saj duke kërcënuar rreth 3 000 punonjës.

“Në tremujorin e dytë, përfitimi operacional i tre prodhuesve gjermanë u ul me 38%, shumë më tepër sesa mesatarja botërore e sektorit (-18%)”, sipas EY.

Sektori i automjeteve përbën një të pestën e industrisë, rreth 5% të PBB-së dhe me më shumë se 800 000 punonjës.