Auto

Mercedes GLB serik vjen këtë verë, versioni elektrik i tij më 2021-ën

Së fundmi, kanë arritur disa informacione të reja nga Daimleri për konceptin e ri të Crossoverit GLB. Tani, është zbuluar se GLB do të prezantohet në version serik këtë verë.

Ky koncept është prezantuar në panairin e veturave në Shanghai, ku ka tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve, transmeton Koha.net. Përveç motorit konvencional, Britta Seeger, shefja e marketingut dhe shitjeve në Daimler, ka thënë se edhe versioni tërësisht elektrik i këtij Crossoveri të ri mund të arrijë në vitin 2021.

Versioni elektrik thuhet se do të mbajë etiketën “EQB” dhe se do të radhitet nën modelin EQC, i cili aktualisht është duke u ekspozuar në panairin e veturave në New York.

{gallery}

Për këto dy Crossoverë të rinj dihet shumë pak dhe supozohet se modeli me motor konvencional, teknologjinë dhe dizajnin do ta ketë të bazuar në modelet kompakte të Mercedesit duke përfshirë A-Class Hatchback, B-Class, A-Class Sedan, CLA dhe CLA Shooting Brake.

EQB nuk do të dallohet shumë sa i përket dizajnit nga modelet tjera, por do të pësojë disa ndryshime të vogla. Sipas disa raportimeve, thuhet se do të përdorë baterinë prej 60 KWh e cila do t’ia mundësojë këtij modeli të udhëtojë deri në 500 kilometra me vetëm një mbushje.

Gjithashtu, raportohet se Mercedesi do të organizojë një ngjarje të veçantë për GLB-në e re.